Një tjetër rast i ndërtimeve pa leje po shqetëson banorët e një pallati në rrugën “Taulantia” në Tiranë, tek pedonalja që ka zëvendësuar ish-tregun elektrik. Pronari i një apartamenti në katin e fundit, që sipas burimeve i përket kompanisë Remax, e ka ndarë hapësirën në katër garsoniere, duke kryer punime pa leje për t’i kthyer ato në njësi Airbnb.

Një banor tregon për AIA.AL se një fqinje në pallat iu shkëput një pjesë tavani dhe gati i ra fëmijës kur po bënte detyrat në tryezë. “Mos llogarit zhurmat e padurueshme prej tre muajsh që po durojnë pleq e fëmijë” tregon ai. “I drejtohemi administratorit, por dhe ai është i pafuqishëm përballë korrupsionit që mesa duket është në nivele të larta.”

Banorët e pallatit janë të alarmuar, jo vetëm nga zhurmat e padurueshme që zgjasin prej disa muajsh, por edhe nga frika se këto ambiente mund të shndërrohen në vatra të aktiviteteve të paligjshme. Përvoja e mëparshme me shumë njësi Airbnb në Tiranë ka treguar se ato shpesh janë kthyer në qendra prostitucioni, duke rritur ndjeshëm pasigurinë në zonë.

Garsonieret po ndertohen ne katin e 9-të të pallatit mbi pedonalen tek ish tregu elektrik

Pavarësisht ankesave të shumta dhe thirrjeve të përsëritura, as Policia e Shtetit dhe as Policia Bashkiake nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar punimet. Më shqetësuese akoma, dokumentet e varura në ambientet e punimeve tregojnë se leja e ndërtimit nuk është e përshtatshme për ndërhyrje kaq rrënjësore, duke ngritur dyshime të forta për shkelje të rënda ligjore.

Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet për të ndalur këtë situatë të paligjshme që po dëmton cilësinë e jetesës së tyre dhe po rrit pasigurinë në zonën e tyre të banimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu