Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë një takimi me shqiptarët në Prato, Toscana, njoftoi se numri i kërkesave për regjistrim nga Italia për zgjedhjet e 11 majit ka arritur në 100,000.

“Përmes votës tuaj t’i mundësojmë Shqipërisë sonë një shumicë jo vetëm absolute prej 71 votash, por të kemi një shumicë të cilësuar në parlamentin e ardhshëm për të çuar përpara shumë reforma të rëndësishme.”

Duke argumentuar pse duhet votuar PS, Balla foli për transformimin e Shqipërisë në një destinacion të njohur turistik në Evropë.

“Këtu mes italianëve ku ju jetoni, o do gjesh një që ka qenë në Shqipëri verën e kaluar, o që planifikon të shkojë këtë verë… Kush e imagjinonte disa vite më parë që kur vjen me avion nga Shqipëria për në Itali do gjesh pesë me kokën mbuluar se kanë vënë flokët, katër kanë rregulluar hundën edhe nja 20 të tjerë që kanë bërë dhëmbët.”

Ai shtoi se ky zhvillim nuk erdhi vetëm për shkak të natyrës së Shqipërisë, por për shkak të investimeve të qeverisë.

“Sepse edhe në 2013-n edhe deti Adriatik dhe deti Jon aty ishin, apo jo. Vlora aty e kishte detin por kur shkoje në Vlorë nuk e shihje detin se ta kishin zënë.”

(Dikush nga salla ndërhyn: “E kishte zënë Lul Basha.”)

“E kishte zënë edhe Luli, po lëre mos i jep argument Saliut se do thotë pastaj ndonjë gjë tjetër!” – u përgjigj Balla me humor.

Balla foli për programin “Mësues për Italinë”, i cili do të nisë në shtator për të ndihmuar fëmijët shqiptarë në Itali të mësojnë gjuhën shqipe.

“Bëjeni votën tuaj kampion dhe votoni Partinë Socialiste.” – përfundoi ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu