Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla bëri homazhe sot pranë arkëmortit të Kryepeshkopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Ministri nderoi kontributin e dhënë nga Kryepeshkopi për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë prej rikthimit të lirisë së besimit në vendin tonë.
Në Librin e Zisë të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ministri shkroi se ka pasur rastin të takohet shumë herë me Kryepiskopin e ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasin.
“Të gjitha bisedat ishin si një takim me një enciklopedi njerëzore të pakrahasueshme. Kryepiskopi ka pasur një kontribut të madh në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. U prehsh në paqe!” shkruan Balla në Librin e ngushëllimeve.
View this post on Instagram
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka shpallur 5 ditë zie kishtare për fjetjen në Zotin, të Atit dhe Kryebariut të saj, Imzot Anastasit. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte pas Liturgjisë Hyjnore dhe trupi i Kryepeshkopit do të prehet në Shqipëri, sipas amanetit të tij.