Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së festimit të 100-vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi se kjo vatër e dijes ka patur ndikimin e jashtëzakonshëm në arsimimin e shumë brezave dhe në edukimin e shumë djemve dhe vajzave me kontribut për vendin tonë.
“Roli i kësaj medreseje shtrihet përtej konceptit tradicional të mësimdhënies. Ka kultivuar ndër breza e ndër vite vlerat e harmonisë, respektit dhe bashkëjetesës, ne nje shoqëri që ndërtohet mbi bazat e tolerancës dhe ato të mirëkuptimit. Sot në një kohë sfidash të mëdha për të rinjtë, kjo shkollë vijon të jetë shembulli i mirë, shembulli frymëzues për ata që duan të zgjedhin arsimin, por edhe besimin krah për krah” tha ministri Balla.
Ministri falënderoi të gjithë kontribuesit që e kanë çuar përpara misionin e Medresesë së Tiranës.
“Dëshiroj ta përgëzoj komunitetin ndër vite. Ju falënderoj shumë që përmendët këtu Hafiz Sabri Koçin. Vijmë të dy nga e njëjta krahinë. Për kontributin që ai pati në themelimin e Komunitetit Mysliman por dhe ringritjen e Medresesë. Ky 100-vjetor është fillimi i 100-vjetorit të dytë, që duhet të bëjmë gjithçka që të jetë më i suksesshëm se 100-vjetori i parë, po të kemi parasysh edhe atë ndërprerje 26-27 vjeçare që nga viti 1964 deri në vitin 1991.”
Ministri i përgëzoi të gjithë për këtë kontribut të vazhdueshëm në zhvillimin e arsimit dhe të vlerave shpirtërore në vendin tonë, duke uruar që ky 100-vjetor të shërbejë si një shtysë për ta çuar më para këtë mision për shumë vite të tjera.