Opozita i qëndron kërkesës që në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin dhe Check-Up të dëshmojë kreu i qeverisë Edi Rama dhe Vilma Nushi. Kryetarja e këtij Komisioni, demokratja Albana Vokshi, deputetët Saimir Korreshi dhe Edmond Spaho deklaruan në ditën e dytë të mbledhjes se dëshmia e Ramës dhe Nushit është e rëndësishme për hetimin.
Vokshi: Ne i mbetemi kërkesës që Edi Rama të paraqitet në Komisionin hetimor. Kemi firmën e Edi Ramës në VKM që ka kërkuar para se të nisnin proceduart e koncesioneve. Ka një VKM e cila përcakton qartë se në cilat shëbime do të koncesionohen dhe gjithashtu ka qenë Edi Rama, i cili ka qenë mbrojtësi më i flakët i koncesionit të Check-up. Dëshmia e Vilma Nushit është e rëndësishme për hetimin. Ne jemi të vendosur ky komision nuk mbyllet pa dëshminë e Edi Ramës, Vilma Nushit dhe pa marrë dëshminë e çdo shtetasi tjetër shqiptr apo të huaj.
Korreshi: Duhet të vendosim që të vijnë dëshmitarët. Zoti Rama meqë është kryeministri dhe është kaq i pushtetshëm nuk besoj se ka frikë nga një Komision i tillë. Kështu që të vijë në Komision ta pyesim. Zonja Vilma Nushi duhet me se s’bën të vijë në Komision. Vilma duhet të vijë të na tregojë se si është gatuar dhe cilët janë përbërësit kryesor që në divident mori 1.7 mln euro.
Spaho: Mazhoranca nuk duhet të vazhdojë me këtë qëndrim kokëfortë. Këtu bëhet fjalë për paratë e qytetarëve. Ne jemi këtu për të mirë-administruar paratë e qytetarëve. Kjo është një vjedhje dhe duhet mbajtur përgjegjësi. /vizionplus.