Luciano Spalletti nuk do të jetë më trajneri i Kombëtares italiane pas përfundimit të ndeshjes së radhës kundër Moldavisë. Vetë tekniku e ka konfirmuar në një konferencë për shtyp se është njoftuar nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, për largimin nga detyra.

“Kam pasur një bisedë të gjatë me presidentin Gravina, dhe më komunikoi vendimin për të më liruar nga detyra,” deklaroi Spalletti. “Nuk doja të largohesha, nuk ka qenë dëshira ime. Por e pranoj këtë vendim dhe përgjegjësinë për rezultatet e arritura. Pas ndeshjes me Moldavinë do të nënshkruajmë marrëveshjen për zgjidhje konsensuale të kontratës.”

Pas humbjes zhgënjyese në transfertë kundër Norvegjisë dhe reagimeve të ashpra në media, përfshirë deklaratat kritike të vetë Gravina-s, presioni mbi Spallettin ishte rritur ndjeshëm. Ai u shpreh se do të jetë në pankinë për herë të fundit nesër në mbrëmje, përballë Moldavisë.

“Kam marrë mbështetje të plotë nga Federata, por rezultatet nuk ishin në nivelin që kisha parashikuar,” tha ai. “Jam i zhgënjyer nga vetja dhe i vetëdijshëm që kam krijuar probleme në të gjithë strukturën. Isha i bindur që do të arrinim të kualifikoheshim në Botëror, por puna ime mbeti nën standardet e mia personale.”

I pyetur për marrëdhëniet me lojtarët, Spalletti u shpreh: “Kam tentuar të krijoj një ambient pozitiv, kam kërkuar të kuptoj të gjithë dhe të afrohem me të gjithë. Më vjen keq nëse ka pasur ndonjë keqkuptim. Kombëtarja është një nder i madh dhe kjo ndjesi duhet kultivuar.”

Spalletti shpreson të mbyllë aventurën me një fitore: “Nuk dua ta mbyll me turpin që ndodhi në Norvegji. Këta djem janë të duhuret për të kthyer Italinë në nivelet që i takojnë.”

Largimi i tij shënon fundin e një kapitulli të shkurtër por të trazuar në krye të “Azzurrëve”. Emri i pasuesit të tij ende nuk është bërë publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu