
Është zyrtarizuar kalimi i mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, nga Interi te Torino. Klubet kanë bërë publike marrëveshjen, sipas së cilës lojtari 22-vjeçar transferohet me formulën huazim me të drejtë blerjeje.
Njoftimi i Torinos
“Torino Football Club është i lumtur të njoftojë se ka arritur marrëveshjen me FC Internazionale Milano për transferimin në formë huazimi, me opsion blerjeje, të mesfushorit Kristjan Asllani. Lojtari, i lindur në Elbasan më 9 mars 2002, është formuar në akademinë e Empolit, ku ka debutuar më 2021. Në Serie A numëron 27 ndeshje, 1 gol dhe 2 asist me empolesët, ndërsa nga viti 2022 është pjesë e Interit, me të cilin ka koleksionuar 99 paraqitje, 4 gola e 5 asist, si dhe një titull kampion, një Kupë Italie dhe dy Superkupa,” – shkruhet në komunikatën e klubit granata, që e pret Asllanin me një “mirëseardhje të ngrohtë”.
Njoftimi i Interit
Nga ana e tij, Interi zyrtarizoi: “FC Internazionale Milano konfirmon kalimin e Kristjan Asllanit te Torino FC me formulën e huazimit deri në fund të sezonit, me opsion blerjeje në favor të klubit granata”.
Ndeshja e parë pa Asllanin
Ironikisht, Torino e nis sezonin pikërisht kundër Interit në transfertë, por Asllani nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Marco Baroni për këtë sfidë. Debutimi i tij me fanellën granata pritet më 31 gusht, kur Torino do të presë Fiorentinën në “Olimpico Grande Torino”.
Mesfushori kuqezi, pjesë e rëndësishme e përfaqësueses shqiptare (33 ndeshje, 3 gola), do të kërkojë të rifitojë më shumë hapësira dhe rol kyç në Serie A me klubin e ri.