
Ish-futbollisti dhe drejtuesi i njohur shqiptar, Igli Tare, është emëruar drejtor sportiv i klubit legjendar italian, AC Milan. Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur sportiv Matteo Moretto dhe burime të tjera pranë klubit kuqezi.
Tare, i cili për më shumë se një dekadë ka shërbyer me sukses si drejtor sportiv te Lazio, njihet për aftësitë e tij të spikatura në merkato dhe menaxhimin financiar të skuadrave. Gjatë periudhës së tij në kryeqytet, ai ka kontribuar në afrimin e talenteve të shumta dhe forcimin e profilit të klubit në arenën ndërkombëtare.
Marrëveshja e tij me Milanin është 2-vjeçare, me opsion për rinovim edhe për një sezon të tretë, ndërsa paga e parashikuar arrin në 800 mijë euro në vit.
Reagimet nga tifozët kuqezinj nuk kanë munguar, duke e mirëpritur emërimin e Tares si një hap drejt rilindjes sportive të skuadrës. Me përvojën dhe njohuritë e tij të thella mbi futbollin italian, Tare pritet të ketë një rol vendimtar në përforcimin e ekipit dhe rikthimin e Milanit në elitën e futbollit evropian.
Njoftimi zyrtar nga klubi pritet në orët në vijim.