
HBO ka nisur zyrtarisht prodhimin e serialit të shumëpritur televiziv “Harry Potter”, një rikthim epik në botën magjike të krijuar nga J.K. Rowling. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga rrjeti televiziv, i cili ka publikuar gjithashtu pamjen e parë nga xhirimet, ku prezantohet aktori i ri që do të interpretojë rolin e Harry Potter.
Dominic McLaughlin është zgjedhja e re për të portretizuar personazhin e famshëm. Në foton e shpërndarë nga HBO, ai shfaqet me uniformën klasike të Hogwarts-it, syzet me forma të rrumbullakëta dhe plagën e famshme në formë rrufeje në ballë — një homazh i qartë ndaj interpretimit ikonik të Daniel Radcliffe në sagën filmike.
McLaughlin, 11 vjeç, është zgjedhur nga një audicion kombëtar me mbi 30,000 kandidatë për të portretizuar Harry-n e vogël .
Në fotot ai shfaqet me uniformën klasike Gryffindor – elemente që sjellin menjëherë atmosferën e librave origjinalë .
Reagimet e fansave kanë qenë tashmë pozitive: “He looks the part” dhe “Good luck little Harry!” janë ndër komentet që kanë shpalosur emocionin e fansave.
Xhirimet kanë nisur në Warner Bros. Studios Leavesden në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku janë xhiruar edhe filmat origjinalë. Seriali i ri pritet të jetë një adaptim më besnik ndaj librave dhe është planifikuar të shfaqet në vitin 2027.
Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të HBO për të sjellë një përvojë të re për fansat e brezit të ri, por edhe për ata që janë rritur me historitë e Harry Potter. Detaje të tjera mbi kastin dhe strukturën e sezonit nuk janë bërë ende publike, por interesimi global për serialin është i jashtëzakonshëm që në ditët e para të xhirimeve.