Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në qendër të Thethit, ku një restorant është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe pushuesve të zonës turistike.

Zjarri ka shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe është vënë re fillimisht nga familjarët dhe fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të ndaluar përhapjen e flakëve drejt bujtinës ngjitur me restorantin.

Pavarësisht përpjekjeve fillestare, flakët kanë qenë të fuqishme, duke shkatërruar plotësisht ambientin e restorantit. Sipas pronarëve, ndërhyrja e zjarrfikëses ka qenë e vonuar, duke vështirësuar kontrollin e situatës. Për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarrit në bujtinën pranë, autoritetet kanë ndërmarrë evakuimin e dhjetëra turistëve që po qëndronin në atë strukturë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Pronari i restorantit ka deklaruar se vetëm hetimet dhe ekspertiza do të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me një defekt elektrik apo me një zjarr të qëllimshëm.

Restoranti ishte në pronësi të agjentit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Petrit Gjeçaj, është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Theth.

Njoftimi i policisë:

Informacion paraprak/Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Theth, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit P. Gj. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëmë materiale.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu