
Situata e zjarreve në vend vijon të jetë kritike. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten ende aktive, duke rrezikuar sipërfaqe të gjera pyjore, zona të banuara dhe pasuri bujqësore.
Zjarret janë përhapur në disa qarqe, përfshirë Dibrën, Bulqizën, Matin, Rrogozhinën, Vorën, Tiranën, Vlorën, Kuçovën, Krujën, Librazhdin, Prrenjasin, Malësinë e Madhe dhe Korçën. Deri tani, janë djegur më shumë se 292 hektarë, si dhe mbi 1,000 rrënjë pemësh frutore si kumbulla, qershi dhe ullinj.
Vatrat më problematike:
- Dibër – Parku Kombëtar Lurë (“Liqeni i Luleve”): zjarri ka përfshirë rreth 150 ha me pisha dhe livadhe. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave tokësore, terreni i thepisur dhe era e fortë kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Situata mbetet kritike.
- Bulqizë – Mali i Peladhisë (Zerqan): zjarri është riaktivizuar dhe po avancon drejt Majës së Vlashes. Temperaturat e larta dhe era vijojnë të nxisin përhapjen.
- Dibër – Fshati Arras: vatra e rrezikshme pranë banesave. Flakët mund të përhapen në drejtim të fshatit Shumbat në njësinë Sllovë. Forcat po punojnë për izolimin e zjarrit.
- Mallakastër – Drenovë (Qendër Dukas): zjarri ka përparuar gjatë natës në masivin pyjor. Aktualisht po ndërhyhet me forca të MZSH, bashkisë dhe Forcat e Armatosura.
Forcat në terren:
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 394 efektivë, 36 automjete zjarrfikëse, 130 forca nga FA, si dhe një helikopter.
Parashikimi dhe rreziku i ditës:
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, në disa qarqe priten reshje të dobëta (Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër), por në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër pritet një nivel rreziku “I LARTË” për zjarret në pyje.
Apel qytetarëve:
Mbrojtja Civile fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura. Çdo vatër e re duhet të raportohet menjëherë tek shërbimet zjarrfikëse, pasi edhe pakujdesia më e vogël mund të sjellë pasoja të rënda për mjedisin, jetën dhe pronën.
Autoritetet qëndrojnë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme.