Pas angazhimit intensiv të mijëra forcave të emergjencës, situata nga zjarret në vend është më e stabilizuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 mbeten aktive.

Aktualisht po punohet intensivisht në vatrat kryesore në disa qarqe:

Qarku Vlorë

Në Delvinë, vatra në Syrin e Kaltër mbetet aktive. Në terren operojnë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 automjete transporti, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse.

Zjarret vazhdojnë në fshatrat Pecë, Sirikat dhe Kardhikaq (Finiq), si dhe në Kuç (Himarë) dhe Brataj (Selenicë). Situata mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

Qarku Dibër

Në Biz të Martaneshit (Bulqizë), zjarri në një zonë të mbrojtur mbahet nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.

Në Tërnovë (Zerqan), vatrat e zjarrit me intensitet të lartë në pyje monitorohen nga 48 forca operacionale, pa rrezik për banesat.

Qarku Berat

Në Plashnik, Zhapokikë dhe Rezervatin e Menaxhuar Balloll, zjarret kanë rrezikuar banesat, duke sjellë evakuimin e 20 banorëve. Forcat tokësore janë ndihmuar nga 4 helikopterë, përfshirë 2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në Velçan, Orizaj, Vokopolë dhe Poliçan, zjarret mbahen nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për banesat.

Qarku Tiranë

Në Malin e Bërzhitës, Ibë dhe fshatrat Damjan-Fortuzaj, Isufaj, Ferraj dhe Zall-Herr vijon puna për shuarjen e zjarreve, të gjitha të vendosura nën kontroll pa rrezik për banesat.

Në Kryevidh, Rrogozhinë, zjarri është izoluar dhe po mbahet nën vëzhgim.

Qarku Gjirokastër

Zjarret nga Finiqi në Dropull, drejt Dhuvjanit dhe fshatrave Lugar e Frashtan, janë vënë nën kontroll.

Në Hormovë, lartësitë e Majës së Golikut dhe Mali i Sopotit monitorohen nga strukturat vendore.

Qarku Elbasan

Në Gramsh (Kullollas, Kodovjat, Mukaj, Sojnik) vijon puna intensive e forcave tokësore dhe helikopterëve për shuarjen e zjarreve, pa rrezik për banesat.

Qarku Shkodër

Në Xath (Fushë Arrëz) dhe Trun, zjarrfikësit dhe helikopteri i FA mbajnë situatën nën kontroll.

Qarku Kukës

Në Bele (Zapod), zjarri në Parkun Natyror Korab-Koritnik po shuar.

Qarku Korçë

Në Gërmenj (Leskovik), zjarri i aktivizuar në një sipërfaqe pyjore me pisha mbahet nën monitorim, pas shpërthimeve të municioneve brenda perimetrit.

Në operacionet e fundit janë angazhuar 1,143 forca operacionale, 65 automjete zjarrfikëse, të ndihmuara nga Forcat e Armatosura me 409 forca, 23 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë. Gjithashtu morën pjesë 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia si dhe 7 helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Situata mbetet nën mbikëqyrjen e MZSH dhe strukturave vendore, ndërsa puna për shuarjen e plotë të vatrave aktive.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu