Autoritetet në shtetin australian të Viktorias kanë shpallur gjendje katastrofe për shkak të zjarreve masive që prej ditësh po përhapen me shpejtësi, duke shkatërruar qindra banesa dhe djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.

Vala e të nxehtit ekstrem, me temperatura mbi 40 gradë Celsius, e shoqëruar me erëra të forta dhe të thata, ka krijuar kushte ideale për përhapjen e flakëve. Situata kujton “verën e zezë” të viteve 2019–2020, kur Australia u përball me një nga krizat më të rënda mjedisore në historinë e saj.

Një nga vatrat më të mëdha të zjarrit ka shkrumbuar rreth 1.5 milionë dynymë tokë pranë zonës së Longwood-it, rreth 150 kilometra nga Melburni. Kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan, deklaroi se shpallja e gjendjes së katastrofës u jep zjarrfikësve kompetenca të zgjeruara, veçanërisht për urdhërimin e evakuimeve emergjente.

“Prioriteti ynë absolut është mbrojtja e jetës së njerëzve. Nëse ju kërkohet të largoheni, largohuni menjëherë”, theksoi Allan. Ajo bëri të ditur gjithashtu se tre persona, mes tyre edhe një fëmijë, të shpallur fillimisht të zhdukur, janë gjetur shëndoshë e mirë.

Sipas shërbimit të emergjencave, të paktën 130 ndërtesa janë shkatërruar deri më tani, ndërsa dhjetë zjarre të mëdha mbeten ende aktive dhe mund të zgjasin për ditë ose javë të tëra. Qindra zjarrfikës nga e gjithë Australia janë angazhuar në operacionet për vënien nën kontroll të flakëve.

Siç raportuam pak ditë më parë me foto të dërguara nga shqiptarë në Melburn, flakët kanë krijuar edhe fenomene të tilla si perëndimi “pink”.

Në disa zona, intensiteti i nxehtësisë ka qenë aq i madh sa ka shkaktuar edhe fenomene të rralla, si stuhi lokale të krijuara nga vetë zjarret. Studiuesit paralajmërojnë se rritja mesatare e temperaturës në Australi me rreth 1.5 gradë Celsius që nga viti 1910 po ndikon drejtpërdrejt në shtimin e fenomeneve ekstreme klimatike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu