Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 vatra zjarri në 12 bashki të vendit, përkatësisht në: Vlorë, Sarandë, Ksamil, Delvinë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Tiranë, Kavajë, Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Elbasan.

Fatmirësisht, të gjitha vatrat janë neutralizuar pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo kafshë, ndërsa sipërfaqja e djegur përllogaritet në rreth 35.9 hektarë, kryesisht me shkurre dhe bimësi të ulët.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 266 forca operacionale, 35 automjete zjarrfikëse, si dhe helikopteri “Cougar” i Forcave të Armatosura, ndërkohë që Forca Ajrore ka intensifikuar monitorimin me dronë në jug të vendit, duke siguruar vëzhgim të pandërprerë 24/7 mbi zonat me rrezik të shtuar.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe në atë qendror, mbeten në gadishmëri të plotë dhe në ndjekje të situatës në terren.

Dy lëkundje tërmeti në mëngjesin e sotëm

Krahas situatës me zjarret, dy lëkundje tërmeti janë ndjerë sot në Shqipëri. E para, me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter, u regjistrua në Fushë Krujë, Durrës, ndërsa e dyta, me magnitudë 3.8, kishte epiqendrën në Zall-Herr, Tiranë. Të dyja lëkundjet ndodhën në një thellësi prej 15 km dhe nuk janë raportuar dëme materiale apo në njerëz.

Kushtet e motit dhe rreziku nga zjarret

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta lokale në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë.

Ndërkohë, nivelet e rrezikut nga zjarret mbeten të larta, sidomos në qarkun Fier, ku është shpallur rrezik i lartë, ndërsa në qarqet e tjera rreziku është i moderuar.

Thirrje për qytetarët

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër pranë institucioneve vendore.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu