Një ngjarje shqetësuese është shënuar pasditen e së shtunës në Sarandë, ku një turist portugez është zhdukur pasi ka hyrë në det për të notuar dhe nuk është parë më.

Sipas informacioneve paraprake nga Policia, ngjarja ka ndodhur më 27 korrik 2025, rreth orës 18:00, pranë lagunës në zonën e njohur si “Buka e Vivarit”.

Shtetasi portugez A. G., 57 vjeç, ndodhej me disa miq të tij kur hyri në det për të notuar dhe nuk u kthye më në breg. Menjëherë pas raportimit të zhdukjes, shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, së bashku me patrullat nga toka, nisën kërkimet intensive në det dhe përgjatë vijës bregdetare.

Grupi hetimor i ngritur nga Komisariati i Policisë Sarandë është angazhuar për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa kërkimet për gjetjen e turistit vijojnë ende.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që ndodhen në zonë të raportojnë çdo informacion të mundshëm që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.

Më herët një turiste çeke u mbyt në Qerret.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu