Ministria e Jashtme e Turqisë, ka reaguar lidhur me planin e Greqisë për të shfrytëzuar hapësirat detare përgjatë brigjeve të saj, por gjithashtu dhe zgjerimi i hapësirave detare nga 6-12 milje larg këtyre brigjeve.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Jashtme e Turqisë shprehet se disa nga zonat e specifikuara nga ky plan shkelin zonat e juridiksionit detar të Turqisë.

Në reagim thuhet sakaq se veprimet e Greqisë nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore për Turqinë, e se është e gatshme që mes dy shteteve të ketë një bashkëpunim të ngushtë.

Sakaq, Turqia do të paraqesë Planin e Hapësires Detare të kryer prej saj në UNESCO dhe organet përkatëse të Kombëve të Bashkuara.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë

Disa nga zonat e specifikuara në “Planin Hapësinor Detar” të deklaruar nga Greqia në kuadrin e legjislacionit të BE-së, shkelin zonat e juridiksionit detar të Turqisë si në Detin Egje ashtu dhe në Mesdheun Lindor.

Ne theksojmë se veprimet e njëanshme të Greqisë nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore për Turqinë.

Kujtojmë gjithashtu se veprimet e njëanshme duhet të shmangen në një det të mbyllur ose gjysmë të mbyllur si Egje dhe Mesdhe, se e drejta ndërkombëtare detare inkurajon bashkëpunimin midis shteteve bregdetare në këto dete, duke përfshirë edhe çështjet mjedisore, dhe në këtë drejtim, Turqia është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë me Greqinë në Detin Egje.

Veprimet e lartpërmendura dhe tentativat për fakte të kryera, si në të kaluarën, nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore për Turqinë sot dhe në të ardhmen.

Turqia mban qëndrimin e saj se duhet miratuar një qasje e sinqertë dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e çështjeve mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, barazisë dhe fqinjësisë së mirë brenda kuadrit të Deklaratës së Athinës për Marrëdhëniet Miqësore dhe Fqinjësinë e Mirë, datë 7 dhjetor 2023, e cila pasqyron frymën që të dyja palët duan të ruajnë në marrëdhëniet turko-greke.

Turqia do të paraqesë MSP-në e saj në UNESCO dhe organet përkatëse të Kombeve të Bashkuara./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu