
Në një garë zgjedhore me pjesëmarrje rekord, kandidati i pavarur centrist dhe aktuali kryetar i Bashkisë së Bukureshtit, Nicușor Dan, pritet të zgjidhet presidenti i ri i Rumanisë. Sipas exit poll-eve të para, Dan ka fituar me 55% të votave, duke lënë pas kandidatin e ekstremit të djathtë, George Simion, i cili ka marrë 45%.
Zgjedhjet presidenciale të së dielës shënuan një angazhim të lartë qytetar, me një pjesëmarrje prej 64.5%, ndjeshëm më e lartë se ajo e raundit të parë, që ishte 53%.
Në fjalimin e tij të parë pas publikimit të rezultateve paraprake, Dan përshëndeti qytetarët për vendosmërinë e tyre dhe për zgjedhjen që, sipas tij, reflekton pjekuri demokratike dhe dëshirë për ndryshim. “Rumunët zgjodhën dialogun në vend të urrejtjes,” u shpreh ai, duke theksuar nevojën për reforma të thella dhe një shoqëri më të qëndrueshme institucionalisht.
Rezultatet zyrtare priten të publikohen nga Autoriteti Qendror Zgjedhor në orët në vijim.