Romë – Janë hapur zyrtarisht qendrat e votimit në të gjithë Italinë për zhvillimin e pesë referendumeve abrogative dhe për raundin e zgjedhjeve administrative. Votuesit mund të hedhin votën e tyre të dielën, më 8 qershor, deri në orën 23:00, dhe sërish të hënën, më 9 qershor, nga ora 07:00 deri në 15:00. Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit do të nisë numërimi i votave.
Referendumet përfshijnë pesë çështje kryesore: katër lidhen me të drejtat e punës dhe një me qytetarinë. Për secilin prej tyre është përgatitur një fletë votimi me ngjyrë të ndryshme:
Fleta jeshile: kërkon abrogimin e disa dispozitave të “Job’s Act” mbi largimet nga puna pa shkak të ligjshëm;
Fleta portokalli: lidhet me rregullat për largimet nga puna në ndërmarrjet e vogla, me më pak se 15 punonjës;
Fleta gri: propozon rikthimin e detyrimit për të pasur një arsye të justifikuar në kontratat me afat të caktuar;
Fleta rozë: ka të bëjë me sigurinë në vendin e punës dhe përgjegjësinë ligjore në rastin e nënkontraktimeve;
Fleta e verdhë: synon të përgjysmojë kohën e nevojshme për të përfituar shtetësinë italiane.
Votuesit mund të zgjedhin të votojnë për disa nga pyetjet dhe jo për të gjitha. Sfida kryesore për referendumet mbetet pragu i pjesëmarrjes – për t’u konsideruar të vlefshme, kërkohet që të marrë pjesë më shumë se 50% e trupës elektorale, një objektiv që nuk është arritur që nga viti 2011. Nga 67 referendume të mbajtura që nga viti 1974, 39 kanë kaluar pragun dhe 28 kanë dështuar.
Krahas referendumeve, votimi po zhvillohet edhe për balotazhin e zgjedhjeve lokale në 13 bashki, ndër të cilat më të rëndësishmet janë Taranto dhe Matera. Ndërkohë, në Sardenjë është hapur raundi i parë i zgjedhjeve komunale në 7 bashki, përfshirë Nuoron, e vetmja me më shumë se 15 mijë banorë. Balotazhi eventual në Sardenjë do të mbahet më 22 dhe 23 qershor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu