Procesi i votimit në Hungari ka përfunduar mes një pjesëmarrjeje rekord, ndërsa vëmendja është përqendruar te beteja mes kryeministrit aktual Viktor Orbán dhe sfidantit të tij Péter Magyar.

Numërimi i votave sapo ka nisur dhe ende nuk ka rezultate zyrtare, por disa sondazhe të fundit sugjerojnë një garë shumë të fortë, madje duke lënë të hapur mundësinë për një përmbysje historike pas 16 vitesh në pushtet të Orbán dhe partisë së tij Fidesz.

Kreu i opozitës, Magyar, i cili drejton partinë Tisza, u shpreh se është “optimist por i kujdesshëm”, duke theksuar se rezultati përfundimtar do të varet nga numërimi i votave.

Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja ka arritur nivele rekord, mbi 77%, duke reflektuar rëndësinë e kësaj gare që shihet si një përballje mes kursit aktual politik të Hungarisë dhe një orientimi më të afërt me Bashkimin Europian.

Gjatë fushatës, Orbán e ka fokusuar retorikën te lufta në Ukrainë dhe rreziku i përfshirjes së vendit në konflikt, ndërsa kundërshtari i tij ka premtuar reforma dhe afrimin e vendit me BE-në.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të ndiqet nga afër edhe në arenën ndërkombëtare, përfshirë aleatët e Orbán si Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Ndërkohë, rezultatet e para pritet të publikohen në orët në vijim, duke përcaktuar nëse Hungaria do të vazhdojë me të njëjtin kurs politik apo do të hyjë në një epokë të re.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu