
Ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se pasditen e së enjtes u mbyll rinumërimi i 16 kutive të votimit, pas vendimit të marrë një ditë më parë.
Pas këtij hapi, KQZ do të presë shqyrtimin e ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe, nëse do të ketë, edhe nga Gjykata Supreme. Ky proces mund të zgjasë deri në një javë.
Sapo të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas rezultateve paraprake, në 19 komuna janë zgjedhur kryetarët që në raundin e parë, ndërsa 17 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.