
Tri ditë para shpërndarjes zyrtare të fletëve të votimit për emigrantët, në Shqipëri kanë mbërritur votat e para nga diaspora. Kutitë përkatëse janë vendosur në Parkun Olimpik në Tiranë dhe janë nën vëzhgim të vazhdueshëm përmes kamerave të sigurisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me në krye Ilirjan Celibashin, bashkë me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, kanë marrë në dorëzim zarfet.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur për mediat pak pasi mbërritën votat e para të diasporës, të cilat janë vendosur në Parkun Olimpik në kryeqytet.
Celibashi ka deklaruar se kanë mbërritur 735 zarfe dhe vota e parë vjen nga Gjermania. Ndërkohë që zarfi i parë që është skanuar i përket qarkut të Beratit. Zarfet me fletët e votimit do të hapen në 11 maj kur të nisë procesi i numërimit paralelisht me votën brenda Shqipërisë.
Ndërsa sa i përket numërimit, Celibashi theksoi se si do të procedohet:”Në momentin që do të fillojë procesi i numërimit për Tiranën do të fillojë edhe procesi i numërimit për ata që janë të regjistruar nga jashtë për Qarkun e Tiranës.”, tha Celibashi.
Ndëkrohë, kryekomisioneri ka siguruar se kutitë me votat e diasporës do të qëndrojnë të vëzhguara 24 orë, madje edhe nga vëzhgues të partive politike dhe oficerë policie.
“Kutitë me votat e diasporës do të qëdrojnë në këtë ambiente, të mbikëqyrur nga kamerat 24/7”, thesoi kreu i KQZ-së.
Pasi të kontrollohen për dëmtime, fletët e votimit do të sistemohen sipas qarqeve përkatëse. Përmes një pajisjeje të posaçme elektronike, do të përcaktohet se nga cili shtet ka ardhur çdo votë dhe për cilin qark është destinuar.
Zarfet do të hapen më 11 maj, në të njëjtën kohë me nisjen e numërimit të votave brenda territorit shqiptar./balkanweb