Komisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i shpjegoi sot Diasporës se si do numërohej vota e tyre, pa u zbuluar se për kë ata votuan.

Ai ishte sot (22 shkurt) në një komunikim online (virtual) me emigrantët shqiptarë në grupin e rrjetit social, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të adresuara dhe sqaruar shqetësimet që Diaspora shqiptare kishte.

Një prej tyre ishte mundësia e identifikimit të votuesit dhe për kë shkonte vota, duke u prishur anonimati, por Celibashi dha garanci.

 

Më tej ai theksoi se ishte i surprizuar nga numri i lartë i kërkesave dhe regjistrimeve, teksa pohoi me sinqeritet se kishte parashikuar vetëm 40 mijë në fillim, por tani pritet të kalohet numri i 200 mijë personave për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Celibashi shpjegoi edhe me demonstrime se si do kryhej procesi i numërimit, pa u mësuar se për kë shkonte vota apo emri i votuesit, teksa nënvizoi se “nuk ofrohet zgjidhje për ata që nuk kanë ID biometrike shqiptare”, pasi nuk ka marrëveshje politike për kërkesën e PD-së dhe as votim parlamentar dhe ndryshim në Kod.

Më poshtë disa nga pyetjet e emigrantëve dhe përgjigjet e kreut të KQZ-së:

Pyetje: Cilat janë vështirësitë dhe mësimet që keni nxjerrë për t’i përmirësuar herën tjetër në raport me tani?

Ilirjan Celibashi: Vështirësi ka qenë koha e shkurtër për të miratuar aktet ligjore. Por ja kemi dalë që të gjitha t’i miratojmë me dakordësinë e të gjitha palëve politike. Personalisht kisha menduar 40 mijë regjistrime, jashtë parashikimit tonë jemi 166 mijë deri tani. Sot nuk di të them se çfarë duhet të ndryshojmë për të ardhmen, edhe pse një ide e kemi. Ta mbyllim këtë proces, dhe në mënyrë më racionale të kuptojmë se çfarë duhet të kishim bërë ndryshe këtë proces. Ky është një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Edhe të ishin 5 apo 10 mijë të regjistruar, do të kishte po kaq rëndësi. Do të kalojmë këtë herë të parë 200 mijë votues nga jashtë.

Pyetje: Shumë shqiptarë në Angli nuk kanë adresë banimi, kanë emigruar në mënyrë të paligjshme. A ka ndonjë mënyrë për ta adresuar?

Ilirjan Celibashi: Nuk ka rëndësi për ne, nëse është me letra apo pa letra, i ligjshëm, apo i paligjshëm. Por Kodi ka përcaktuar se duhet të tregosh një adresë dhe të demonstrosh një dokument që të lidh ty me atë adresë. Duhet të vërtetohet adresa, përndryshe do të ishte një hapësirë e madhe për spekulim. Duhet të sigurohemi që fleta e votimit do t’i shkojë në dorë atij votuesi. Për fat të keq, nëse nuk e vërteton dot direkt apo indirekt që banon në atë adresë, nuk mund të votosh. Kjo është një praktikë ndërkombëtare.

Pyetje: Ne kemi hasur problem me shumë votues me pasaporta biometrike të skaduara, janë refuzuar, sepse i kanë marrë këto pasaporta para se të mbushnin 18 vjeç. Shumë votues nuk kanë pasaporta biometrike, por janë të marra para vitit 2009, por ata janë zgjedhës në Shqipëri. A mund të ketë një të mesme të artë për këta?

Ilirjan Celibashi: Nëse zotëron një dokument biometrik shqiptar, edhe të skaduar, ai mund të regjistrohet dhe mund të votojë. Ata që kanë një dokument biometrik të marrë në moshë minore, sot kanë një pamje fytyre tjetër, (sepse kjo krahasohet në sistemin tonë PER që je ti). Janë rreth 600 votues të tillë, që e kanë marrë dokumentin biometrik kur ishin të vegjël, sot shfaqen me mjekër e sistemi nuk i njeh. Për fat të keq, nëse nuk e rinovojnë dokumentin, nuk mund të votojnë dot. Sistemi ka refuzuar rreth 20 të tillë deri më tani. Ata që kanë një dokument identifikimi të vjetër, dhe jo biometrik, nuk mund të votojnë për shkak të ligjit. Është përcaktuar se dokument identifikimi sot konsiderohen pasaporta dhe letërnjoftimi biometrik.

Nuk njihet një pasaportë e lëshuar fjala vjen në vitin 1994, me atë nuk shkoj dot as në bankë dhe askund. As nuk mund të votohet me të. Duhet të nxjerrin një letërnjoftim biometrik. Ne si KQZ nuk mund të ofrojmë zgjidhje për këtë kategori. Askush nuk ja ka dalë të akomodojë të gjitha kategoritë e votuesve, por e rëndësishme është të akomodohet shumica e votuesve.

Pyetje: Mosha e tretë ka vështirësi në përdorimin e teknologjisë në aplikim. A mund të ketë thjeshtim në të ardhmen?

Ilirjan Celibashi: Jemi duke e menduar se si mund ta bëjmë më të lehtësuar. Por duhet të zgjedhim, a duhet të jemi të sigurt 100% mbi sigurinë e atij që regjistrohet? Nëse e duam sistemin të sigurt, këto elementë do të vazhdojnë të ngelen e do të jenë të vështira për disa kategori votuesish. Kosova nuk e ka të ngarkuar me kaq elementë sigurie. Sepse ata kanë tjetër besim tek njëri-tjetri dhe tek institucionet. Këtu qasja e politikës është e ashpër, dhe jo besuese e miqësore. Kemi qenë të detyruar të ndërtojmë një sistem relativisht të vështirë. Për zgjedhjet e tjera do të kemi më shumë kohë të sqarojmë votuesit.

Pyetje: Si do të numërohen votat e diasporës?

Ilirjan Celibashi: Do të numërohen në një qendër të monitoruar 24 orë në KQZ. Nën prezencën e monitoruesve të partive, medias dhe OJQ-ve. Do të ndahen në qarqe. Votat do të shpërndahen aty ku ju keni gjendjen civile në Shqipëri. Nuk ka shans që të identifikohet se për kë keni votuar. Partitë e mëdha nuk të falin, ata nuk kanë bërë asnjë koment për mënyrën se si kemi menduar ne të bëhet numërimi.

Pyetje: Pse duhet të numërohen në Shqipëri? Pse nuk sillni komisionerë në konsullata për t’i numëruar këtu? Kanë filluar na dërgojnë mesazhe për të dërguar votën tek Partia Socialiste.

Ilirjan Celibashi: Kështu është përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka pasur diskutime dhe dy partitë e mëdha vendosën me dakordësi që kjo të ishe mënyra e votimit, vetëm përmes postës. Numërimi është i sigurt edhe pse numëruesit do të jetë të PS dhe PD. Do të jetë i mbikëqyrur nga KQZ dhe kushdo tjetër. Janë nën autoritetin tonë institucional. E them me siguri absolute: integritet dhe siguri i votës nga jashtë, se do të jetë ashtu sikundërse është shënuar në çdo fletë votimi që vjen nga jashtë. Problematike atje në vend, mund të ketë, mund të ketë presione, tentativa për shitblerje. Kemi një sistem të ngritur për raportimet në KQZ, ku ju mund të denonconi çdo shkelje. SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ndërtuar gjithashtu një sistem. Shpresoj të jenë të papërfillshme në rezultatin zgjedhor.

Pyetje: Fëmijët nuk kanë dokumente në emër të tyre, por të prindërve. Si zgjidhet?

Ilirjan Celibashi: Nëse dokumenti e adresës nuk është në emër të personit që kërkon të regjistrohet, duhet të bashkëlidhë një certifikatë familjare nëse është familjar. Nëse jo, zotëruesi i adresës duhet të bëjë një deklaratë tip me shkrim dore dhe me një dokument identifikimi sipër, ku na tregon nëse një person tjetër do të përdorë adresën e tij për t’u regjistruar. Si ky model (foto poshtë), me shkrim dore, ose kompjuter.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu