
Në vazhdën e lëvizjeve të Partisë Demokratike për të kontestuar rezultatin e 11 majit, në KAS u zhvillua sot mbledhja për ankimin e rezultatit të qarkut të Kukësit.
KAS vendosi të pranojë kërkesën e PD si prova për përsëritjen e zgjedhjeve në Kukës për studimin e të dhënave të DHL si edhe raportin e audituesve teknicienë. Nga ana tjetër KAS vendosi që të rrëzojë kërkesën për kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit, po ashtu nuk u pranua kërkesa për vënen në dispozicion të regjistrave të posaçëm të çdo qendër votimi dhe as procesverbalet e mbylljes së QV.
Seanca që nisi që prej orën 16: 30 u ndërpre, pasi KAS do të marrë provat e pranuara, dhe do të zhvillohet sërish më 30 maj, ora 10.
Në ankim, Partia Demokratike thotë se ka siguruar prova të mjaftueshme për të kërkuar pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në këtë qark. Por, në fakt të vetmet prova që ka dorëzuar PD e Berishës është raporti paraprak i OSBE-ODHIR dhe një shkrim i portalit të familjes së tij.
Përfaqësuesi i PD-ADSHM, Franc Nuri, teksa lexoi pretendimet para KAS, kërkoi që ankimimi i aleancës së opozitës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Kukës të merrej parasysh.
“Pati parregullsi të shumta brenda dhe jashtë vendit me votën e diasporës”, tha ai mes të tjerash, duke pretenduar se rezultati mund të kishte dalë edhe 3-0 në mandate në favor të opozitës. “Ne mendojmë se ndarja e mandateve mund të ishte në favorin tonë, shkeljet janë të tilla që mund të kishin ndikuar edhe në ndarjen e rezultatit”, vijoi ai.
Kurse nga ana e saj, organi vendimmarrës i KQZ me përfaqësuesit e tij u shpreh se vendimi për tabelat e rezultateve u mor mbi bazën e të dhënave dhe moskonstatimit të parregullsive serioze që deformonin rezultatin.
Sipas tyre, edhe gjatë procesit të votimit nuk ka pasur parregullsi për të kërkuar pavlefshmëri zgjedhjesh dhe as gjatë procesit të dorëzimit të kutive, numërimit dhe tabelave përfundimtare.
“Nuk ka bazë ligjore mbi këtë ankimim”, ishte konkluzioni përfundimtar i relatimit të KQZ-së.
Pavlina Doçaj, Drejtore e Ligjshmërisë në KQZ, mes të tjerash u shpreh:
“Numëruesit dhe Komisionerët e PD, firmosën dhe nënshkruan të gjitha tabelat përmbledhëse. Jo vetëm që nuk kanë kontestuar proçesin, por i kanë firmosur ato. Nuk jemi në kushtet e përsëritjes së zgjedhjeve sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor. Ne nuk mund të përsërisim zgjedhjet për një shkrim portali”.
Franc Nuri, përfaqësues i PD, foli edhe për çështjen e votës së diasporës, por pranoi se nuk e dinte se çfarë kishin bërë përfaqësuesit e opozitës në çdo cep të vendit:
“Ne nuk dimë çfarë kanë bërë përfaqësuesit tanë në çdo cep të vendit. Ne kemi kontestuar votën e diasporës, minimalisht”.
Një nga provat e pretenduara nga PD për Kukësin ka qenë edhe një shkrim i portalit të televizionit të familjes Berisha.
Dhe në shkrimin që Berisha e përdor si provë, pretendohet se drejtuesi politik i PS në Kukës, Eduard Shalsi po kryen shkelje ligjore pasi është fotografuar me drejtuesit e policisë në Kukës. Por në fakt kjo provë e Berishës rrëzohet, pasi takimi i Shlasit nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një takim për 5 maj, ditën e Dëshmorëve të Atdheut.
Madje, takimi që portali i familjes Berisha e shet sikur ‘Shalsi’ është kapur mat, është bërë vetë publik nga deputeti i cili shkruan se “me emocion të veçantë mora pjesë në ceremoninë e nderit dedikuar dëshmorit Selim Halilaj, rënë në krye të detyrës në shërbim të Atdheut.” Ankimit PD i ka bashkëngjitur edhe vendimin e KQZ për certifikimin e rezultatit të 11 majit.
Ky vendim shihet me interes, pasi pritet të përcaktojë edhe vendimmarrjen për qarqet e tjera që PD konteston. Në rast se ankimimet e tyre do të rrëzohen edhe nga komisioni i Apelimit, kanë të drejtën për ta çuar në Kolegj Zgjedhor. Demokratët pretendojnë parregullsi si në votën brenda vendit, ashtu edhe në diasporë./Shqiptarja