Kur na ndajnë dy javë nga zgjedhjet e drejtuesve të rinj në universitetet publike të vendit, më 21 qershor, janë konfirmuar edhe kandidaturat për pozicionet më të rëndësishme drejtuese. Në Universitetin e Tiranës, Universitetin e Mjekësisë dhe në pjesën më të madhe të institucioneve të arsimit të lartë në rrethe ka vetëm nga një kandidat në garën për rektor.
Sa i përket Tiranës, nga 6 universitete publike, pritet garë vetëm në Universitetin e Arteve pasi garojnë Artan Peqini dhe Erald Bakalli. Në Universitetin Politeknik Akli Fundo zv rektori aktual, është kandidat i vetëm.
Në një kohë kur garuesit duhet të shpalosin programet e tyre për mandatin 4 vjeçar si drejtues të institucioneve të Arsimit të Larta, ata janë përballur me shumë kritika dhe denoncime.
Në Tiranë shihet fitues i sigurt Artan Hoxha i cili po garon për një mandat të dytë. Më herët rektori Hoxha kur shpalli kandidaturën e tij, u shpreh se mungesa e rivalit nuk do të thotë më pak përgjegjësi për të. Por pikërisht për Hoxhën por edhe për kandidaten e vetme për dekane në Fakultetin e Drejtësisë në UT, Dorina Hoxha, studiuesi shkencor Taulant Muka ka denoncuar se të dy kanë bërë plagjiaturë duke kopjuar në punimet e tyre doktorale.
Pas denoncimit të Mukës, edhe organizata Qëndresa Qytetare ka reaguar në rrjetet sociale, duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse që të hetojnë mbi këto kallëzime.
Në Elbasan nga ana tjetër ka pasur një denoncim për mospranim të kandidatit.
Majlinda Perriu, e cila kishte aplikuar për të qenë pjesë e garës për Rektor të Universitetit të Elbasanit, nuk i është pranuar kandidatura me argumentin se është prefekte e Elbasanit. Por vetë znj. Perriu thotë se 2 ditë para këtij vendimi të Komisioni Institucional Zgjedhor, ajo është liruar nga puna me një vendim të Këshillit të Ministrave.
Po ashtu edhe Sindikata e Arsimit të Lartë ka kërkuar më herët që gara në universitete të jetë transparente dhe të shmangen zgjedhjet pa garë.
Zgjedhjet për universitetet do të zhvillohen me datë 21 qershor. mandati është 4-vjeçari me të drejtë posti jo më shumë se dy herë.
Mes rektorëve, që nuk mund të garojnë më në zgjedhjet e 21 Qershorit është rektori i mjekësisë, Arben Gjata, rektori i Politeknikut Andrea Maliqari, si dhe rektorët e universiteteve të Vlorës, Elbasanit dhe Gjirokastrës pasi kanë bërë nga dy mandate.Shqiptarja.com