
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka përshëndetur vendimin për t’i ofruar Ukrainës garanci sigurie si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa përgatitej për takimin me Donald Trump.
“Garancitë e sigurisë, si rezultat i punës sonë të përbashkët, duhet të jenë vërtet praktike – të ofrojnë mbrojtje në tokë, në ajër dhe në det – dhe duhet të zhvillohen me pjesëmarrjen e Evropës,” deklaroi presidenti ukrainas.
Në njoftimin për vizitën në Uashington, kryeministri britanik Keir Starmer lavdëroi përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund “luftës së paligjshme të Rusisë ndaj Ukrainës”. Megjithatë, ai theksoi vijat e kuqe evropiane, duke thënë se “rruga drejt paqes” nuk mund të vendoset pa Zelenskyyn dhe se Rusia duhet të “shtërngohet” me sanksione të mëtejshme.
Starmer është përpjekur të pozicionohet si një udhëheqës që mund të bashkëpunojë me Trump, pa lëkundur parimet kryesore të politikës së jashtme evropiane.
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, tha se si Rusia ashtu edhe Ukraina do të duhet të bëjnë lëshime për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Në intervistat e dhëna të dielën, Rubio tha se bisedimet në Alaska kishin bërë “përparim në sensin që janë identifikuar fusha të mundshme marrëveshjeje – por ende mbeten dallime të mëdha.” “Jemi ende shumë larg,” shtoi ai. “Nuk jemi në prag të një marrëveshjeje paqeje. Por mendoj se është bërë një hap përpara drejt saj.” Rubio nuk dha detaje për fushat ku është arritur apo jo dakordësi.
I dërguari i Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, tha se Putin ka rënë dakord që SHBA dhe aleatët evropianë të ofrojnë Ukrainës një garanci sigurie në stilin e NATO-s, të ngjashme me Nenin 5.
Ai shtoi gjithashtu se Rusia ka pranuar lëshime të papërcaktuara për pesë rajone ukrainase të rëndësishme për konfliktin, në veçanti për provincën lindore të Donetskut./balkanweb