
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë që e ka cilësuar si “shumë të mirë” me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara gjatë ditës së Krishtlindjes, në kuadër të negociatave për një marrëveshje të mundshme paqeje për përfundimin e luftës me Rusinë.
Sipas CNN, Zelensky ka komunikuar me të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Në një deklaratë zyrtare, presidenti ukrainas falënderoi palën amerikane për qasjen konstruktive, punën intensive dhe urimet për popullin ukrainas me rastin e Krishtlindjes.
Zelensky bëri të ditur se gjatë bisedës janë diskutuar “detaje thelbësore” të negociatave në vazhdim dhe se janë hedhur ide të reja për arritjen e një paqeje reale. Në këtë komunikim kanë marrë pjesë edhe diplomatë të tjerë ukrainas, përfshirë Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili pritet të zhvillojë takime të tjera me përfaqësuesit amerikanë.
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar duke pranuar se ka një përparim “të ngadaltë, por të qëndrueshëm” në bisedimet mes Rusisë dhe SHBA-së. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Bashkimin Europian se po vijon të mbështesë përshkallëzimin e konfliktit.
CNN thekson se përpjekjet diplomatike po zhvillohen në një moment kur lufta në terren vijon me intensitet. Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj objektivave ukrainase, veçanërisht në qytetin portual të Odesës, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkohë, forcat ukrainase janë tërhequr nga disa zona në lindje të vendit, ndërsa Kievi ka intensifikuar operacionet me dronë dhe aksione sabotimi ndaj objektivave ushtarake ruse.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se për një marrëveshje paqeje, Ukraina duhet të heqë dorë nga i gjithë rajoni i Donetskut, duke shtuar se Moska preferon zgjidhje diplomatike, por nuk përjashton vazhdimin e operacioneve ushtarake.
Pavarësisht deklaratave optimiste nga Uashingtoni se fundi i luftës mund të jetë më afër se kurrë, CNN vëren se ende nuk ka një marrëveshje zyrtare që të jetë e pranueshme për të gjitha palët.




