
Një shtëpi bari është zbuluar në Laknas të Tiranës nga policia.
Komisariati nr. 5 në Kamëz njoftoi sot (19 mars) se finalizoi operacionin e koduar “Llamba”, për goditjen e një rasti të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.
Dy vëllezër u arrestuan dhe së bashku me ta u prangos edhe punonjësi i OSHEE-së që nuk kishte kallëzuar vjedhjen e energjisë elektrike me të cilën kultivoheshin bimët narkotike. Nën akuzë u mor edhe babai i të dyshuarve.
Të arrestuarit janë Shkëlqim Matraxhi, Fatmir Matraxhi, 38 dhe 28 vjeç, si dhe Endrit Paja, 29 vjeç. Policia shpërndau edhe pamjet e operacionit, ky mësyn në ‘shtëpinë e barit’ të pajisur me mjetet më të sofistikuara për kultivim, teksa gjeti edhe drogën e mbjellë dhe një sasi të paketuar dhe përpunuar.
Sekuestrohen lëndë narkotike dhe pajisje elektrike të përdorura për kultivim. Të dyshuarit akuzohen se kishin përshtatur banesën për këtë veprimtari kriminale. Punonjësi i OSHEE-së po hetohet për shpërdorim detyre, pasi nuk konstatoi lidhjen e paligjshme të energjisë.
“Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin policor të koduar “Llamba”, në kuadër të të cilit u identifikua një banesë, në fshatin Laknas, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ku për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme. Gjatë operacionit u arrestuan 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, të cilët kultivonin bimët në ambientet e kësaj banese, konkretisht shtetasit Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç. Po ashtu, në vijim të veprimeve, u procedua në gjendje të lirë babai i tyre, shtetasi Z. M., 66 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar”, njoftoi policia e kryeqytetit në fund të aksionit.
Në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi E. P., 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112”, theksohet në njoftim mes të tjerash./shqiptarja