
Gramsh, 30 maj 2025 – Është zbardhur shkaku i infektimit të disa fëmijëve me salmonelë në kopshtin nr. 1 në qytetin e Gramshit. Burime zyrtare konfirmojnë se vezët e përdorura në përgatitjen e ushqimeve për fëmijët kanë qenë të kontaminuara me bakterin salmonelë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pas analizave të kryera mbi produktet ushqimore të përdorura në institucion, ka identifikuar vezët si burimin kryesor të infektimit. Sipas burimeve pranë AKU-së, kontaminimi është konstatuar në një sasi vezësh të përdorura gjatë përgatitjes së ushqimit në kuzhinën e kopshtit.
Ngjarja ka ngritur shqetësim në komunitet dhe ka vënë në lëvizje institucionet përkatëse. Fëmijët e prekur kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, është pezulluar përkohësisht aktiviteti i kopshtit, janë marrë masa për dezinfektimin e plotë të hapësirave dhe është nisur hetimi për të identifikuar rrugën e furnizimit me vezë të kontaminuara.
AKU vijon kontrollin në subjektet furnizuese dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për çdo shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore. Prindërit e fëmijëve kërkojnë përgjegjësi dhe më shumë garanci për cilësinë e ushqimit që u ofrohet të vegjëlve në institucionet publike.