Aktivistja Evi Kokalari ka publikuar këtë fundjavë një denoncim të fortë ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, i dënuar për shpifje dhe që kreu vetëm 9 muaj burg nga një vendim fillestar prej 1 viti. Sipas Kokalarit, Salianji ka përfituar trajtime të privilegjuara gjatë vuajtjes së dënimit, duke qëndruar për një total prej 14 ditësh në Spitalin Amerikan, ku është shtruar dy herë për diagnoza që nuk përbëjnë urgjencë.

Dokumentet e publikuara përfshijnë data dhe diagnoza mjekësore si ablacion venash dhe insuficiencë venoze. Kokalari pretendon se procedura estetike si mbjellja e flokëve dhe rregullimi i hundës janë kryer në klinika private, përpara se Salianji të shtrohej në spital për “vëzhgim”.

“Nëse SPAK nis një hetim, jam e gatshme t’ia dorëzoj të gjitha dokumentet dhe thjesht mund të kërkojnë konfirmim nga vetë spitali,” shkruan Kokalari.

Ajo denoncon gjithashtu faktin se gjatë qëndrimit në spital, Salianji është shoqëruar nga ish-deputetja Grida Duma, duke e cilësuar këtë si “tallje me ligjin” dhe “shkelje flagrante të barazisë para ligjit”. Sipas saj, spitalet private nuk janë të autorizuara për trajtimin e të burgosurve në mungesë urgjencash të provuara.

Kokalari kërkon transparencë nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Drejtoria e Burgjeve dhe drejtuesit e burgut të Fierit për miratimin e këtyre daljeve të privilegjuara. Ajo kritikon heshtjen e mediave kryesore dhe gazetarëve të njohur, të cilët sipas saj kanë shmangur me qëllim debatin publik mbi procedurat estetike të Salianjit.

“Mediat, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë bashkë. Arroganca është e përbashkët. Kjo është tallje me çdo shqiptar që nuk paguan dot as barnat, jo më spital privat për 14 ditë,” shkruan Kokalari në reagimin e saj.

Ajo e lidh këtë rast me “imoralitetin profesional dhe politik të elitës shqiptare”, duke e cilësuar si simbol të kapjes së shtetit dhe pabarazisë përballë ligjit. Kokalari mbyll reagimin me thirrjen për transparencë të plotë dhe akuzon kryeministrin Edi Rama për dijeni të mundshme mbi këtë situatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu