Në Parkun Arkeologjik të Amantias në Vlorë, arkeologët kanë zbuluar murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shekullin III para Krishtit dhe shkatërruar në shekullin VI pas Krishtit. Ky fortifikim i fuqishëm ofron informacion të ri mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir, duke i shtuar një kapitull të ri historisë së kësaj qendre antike.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, theksoi se zbulimi i murit rrethues, së bashku me elementë të tjerë urbanistikë, pasuron kuptimin për jetën e përditshme dhe strukturën publike të qytetit antik.

“Arkeologët kanë zbuluar një element të panjohur më parë: murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir. Ndërkohë, specialistët kanë realizuar edhe ndërhyrje restauruese për mbrojtjen e varreve monumentale dhe punime konservuese mbi monumentet e evidentuara vitet e fundit, duke pasuruar peizazhin arkeologjik të Parkut,” shkruan Rama.

Autoritetet bëjnë me dije se këto gërmime dhe restaurime jo vetëm sjellin fakte të reja mbi jetën e qytetit ilir, por garantojnë edhe ruajtjen dhe prezantimin e tyre për vizitorët dhe brezat e ardhshëm.

Qyteti antik i Amantias, themeluar në fund të shekullit V para Krishtit dhe i fortifikuar me mure, përfshin gjithashtu gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Në shekullin III para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para, duke dëshmuar zhvillimin e rëndësishëm ekonomik dhe urbanistik të qytetit ilir.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu