Autoritetet në Utah kanë bërë publike detaje tronditëse lidhur me atentatin që i mori jetën aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk. Prokurori i qarkut Utah, Jeff Gray, njoftoi se ndaj autorit të dyshuar, 22-vjeçarit Tyler Robinson, janë ngritur 7 akuza të rënda, ndërsa do të kërkohet edhe dënimi me vdekje.

Mesazhet e fshehta për dhomë-shokun

Gjatë konferencës për shtyp, prokurori Gray zbuloi se Robinson kishte lënë një shënim për dhomë-shokun e tij, një person transgender me të cilin kishte një marrëdhënie. Në mesazhin e gjetur nën tastierë, ai shkruante:

“Pata mundësinë të eliminoj Charlie Kirk dhe do ta bëj.”

Në komunikimet e mëvonshme, Robinson i shpjegonte dhomë-shokut se donte ta mbante sekret këtë veprim deri sa të vdiste nga pleqëria.

Ai gjithashtu kishte shprehur hapur urrejtjen ndaj qëndrimeve të Kirk mbi komunitetin LGBTQ+, duke thënë:

“Kam pasur mjaft nga urrejtja e tij. Ka urrejtje që nuk mund të negociohen.”

Hetimi dhe akuzat

Pas një ndjekjeje 33-orëshe, Robinson u dorëzua në polici, i bindur nga një mik i familjes, ish-oficer policie. Ai akuzohet për:

  1. Vrasje të rëndë me paramendim (aggravated murder)
  2. Shkarkim i paligjshëm i armës së zjarrit
  3. Pengim të drejtësisë – zhvendosja e armës
  4. Pengim të drejtësisë – asgjësim i provave (rrobave)
  5. Ndërhyrje tek dëshmitarët – urdhërim për të fshirë mesazhet
  6. Ndërhyrje tek dëshmitarët – presion ndaj dhomë-shokut për të heshtur
  7. Kryerje e aktit të dhunës në prani të fëmijëve

Prokurori Gray theksoi:

“Ky është një vendim që nuk e marr lehtë. Do të kërkojmë dënimin kapital.”

Si ndodhi atentati

Charlie Kirk u qëllua më 10 shtator, gjatë një aktiviteti në Universitetin e Utah Valley, ndërsa po u përgjigjej pyetjeve të studentëve. Plumbi e goditi në qafë, ndërsa rrezikoi edhe fëmijë që ndodheshin pranë. Ai u dërgua menjëherë në spital, por ndërroi jetë.

Hetuesit zbuluan pushkën e përdorur të fshehur në një zonë pyjore, me gjurmë ADN-je që përputhen me ato të Robinson. Mbi fishekët ishin gdhendur mesazhe provokuese, mes tyre edhe fraza me tone politike dhe ironike.

Çfarë pritet më tej

Robinson do të dalë për herë të parë para gjykatës në orën 15:00 me orën lokale. Ndërkohë, FBI ka nisur hetime për më shumë se 20 persona të përfshirë në biseda online me të, duke lënë të hapur mundësinë se ai mund të ketë pasur mbështetje ose bashkëpunëtorë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu