Federata Shqiptare e Futbollit dhe kompania sportive Macron kanë prezantuar uniformat e reja të sezonit 2026/27 për Kombëtaren shqiptare të futbollit. Fanellat e reja do të vishen nga kuqezinjtë në ndeshjen play-off të Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë, më 26 mars në Varshavë.

Uniformat do të shoqërojnë ekipin e drejtuar nga trajneri Sylvinho në përpjekjen për një objektiv historik, kualifikimin për herë të parë në finalet e një Botërori.

Tre fanellat e reja janë në ngjyrat tradicionale kuqezi dhe të bardhë dhe janë dizajnuar për ndeshjet në shtëpi, transfertë dhe fanellën e tretë. Sipas Federatës, uniformat kombinojnë grafikë elegante, teknika inovative printimi dhe përdorimin e materialeve teknike të cilësisë së lartë.

Fanella e parë, për ndeshjet në shtëpi, është e kuqe me jakë të rrumbullakët të zezë dhe me një shirit kuqezi në skajet e mëngëve. Në pjesën e përparme dhe të pasme paraqiten vija të valëzuara të realizuara me printim sublimues, të cilat krijojnë një efekt optik që formon shqiponjën dykrenare, simbolin kombëtar.

Në gjoks janë të vendosura logoja e Macron dhe stema e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në pjesën e pasme të qafës është vendosur mbishkrimi “Shqipëri”.

Një tjetër detaj i veçantë është shiriti i brendshëm në pjesën e pasme të fanellës me frazën “Ti Shqipëri, më jep nder”, të ndërthurur me simbolin e shqiponjës.

Uniforma e transfertës është tërësisht e zezë, me një shirit të hollë të kuq në skajet e mëngëve dhe me një grafik të stampuar në të gjithë sipërfaqen. Dizajni përbëhet nga një motiv rrethor që përfaqëson zambakun, simbol i fisnikërisë dhe nderit, i lidhur edhe me përkrenaren e heroit kombëtar Skënderbeu.

Fanella e tretë ka ngjyrë të bardhë të zbehtë me detaje të kuqe në jakë dhe në mëngë, ndërsa paraqet të njëjtën grafikë me vijat që formojnë krahët e shqiponjës.

Uniformat e reja janë prodhuar nga materiale ekologjike, pasi janë realizuar me pëlhura të përbëra nga 100% plastikë e ricikluar pas konsumit.

Sipas prodhuesit, të gjitha fanellat janë të pajisura me panele të posaçme që ofrojnë frymëmarrje dhe rehati më të madhe për lojtarët gjatë ndeshjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu