
Në fshatin Lin të Pogradecit është përmbyllur faza e parë e gërmimeve arkeologjike në sitin parahistorik buzë liqenit të Ohrit. Arkeologu zviceran Prof. Albert Hafner, i pranishëm në aktivitet, u shpreh se rezultatet e deritanishme janë shumë premtuese dhe konfirmojnë se bëhet fjalë për vendbanimin më të vjetër në Europë ku janë ruajtur materiale organike dhe druri në gjendje të mirë. Ai theksoi se banorët e hershëm kanë jetuar në këtë zonë për mbi 2000 vjet, nga rreth 6000 deri në 4000 para erës sonë.
Drejtuesi shqiptar i projektit, Adrian Anastasi, sqaroi se puna është ende në vijim. Strategjia e këtij viti përfshiu sondazhe në tokë dhe nën ujë, ku janë gjetur objekte të shumta si qeramikë, vegla pune, kocka dhe një gardh i madh druri, që tregon një fazë të veçantë brenda kronologjisë së vendbanimit. Mostrat e mbledhura do të analizohen me metoda bashkëkohore, si dendrokronologjia, për të rindërtuar më saktësisht strukturat e banimit.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, e cila mori pjesë në aktivitet, vlerësoi bashkëpunimin mes ekspertëve shqiptarë dhe zviceranë si një model suksesi në shkëmbimin e njohurive dhe trajnimin e brezave të rinj të arkeologëve.
Zbulimet në Lin po konsiderohen të një rëndësie te veçantë për arkeologjinë çka pritet të kenë ndikim edhe në zhvillimin e turizmit në këtë zone./syri