Policia dyshohet se ka përdorur gaz lotsjellës të skaduar gjatë protestës së opozitës të mbajtur këtë të shtunë. Sipas A2 CNN, një prej bombolave të hedhura dhe e siguruar nga redaksia mban të shënuar datën e prodhimit korrik 2019 dhe datën e skadencës korrik 2023.

Gazi lotsjellës është përdorur fillimisht pranë godinës së Kryeministrisë, pasi protestuesit hodhën molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të institucionit. Më pas, ai është hedhur edhe pranë Kuvendit, pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Sipas raportimeve, disa efektivë policie kanë mbetur të lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve gjatë protestës para Kryeministrisë. Policia ka njoftuar se efektivët e plagosur po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Më herët gjatë protestës, edhe një qytetar është transportuar me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në përleshjet mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe standardet e pajisjeve të përdorura nga policia në menaxhimin e protestave, ndërsa autoritetet nuk kanë reaguar ende zyrtarisht mbi pretendimin për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu