Janë zbuluar detaje të reja nga atentati i ndodhur ditën e sotme në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos miku i tij Muçi Shaljani.

Makina me të cilën lëviznin autorët e ka pritur sapo ka dalë nga aeroporti dhe kanë lëvizur paralelisht me mjetin në të cilin ndodheshin Dani dhe Shaljani.
Sapo janë afruar në rrethrrotullimin e Rinasit, autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku, duke lënë të vdekur Danin dhe të plagosur rëndë Shaljanin.

Pas breshërisë, mjeti “Benz” ku ndodheshin Dani dhe Shaljani ecën edhe disa metra dhe ndalon, ndërkohë një nga autorët me kapele dhe i maskuar zbret nga mjeti tjetër, afrohet dhe qëllon disa herë me pistoletë për t’u siguruar që shënjestra të ketë vdekur.

Më pas, kthehet në makinë dhe largohen drejt Fushë Krujës. Ndërkohë, disa minuta më vonë, në afërsi të fshatit Halil në Fushë Krujë, policia gjen një makinë të djegur tip “Toyota”, e dyshuar se është përdorur nga autorët.

Nga hetimet e para rezulton se në atentat janë përdorur 4 armë zjarri.

Njoftimi:

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.

Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./vizion plus

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu