
Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe Policisë së Finlandës ka çuar në goditjen e një rrjeti të fuqishëm kriminal që drejtohej nga Shqipëria dhe operonte në trafikun e drogës drejt Finlandës. Autoritetet shqiptare kanë zbardhur emrat e 9 të arrestuarve në vend, të cilët dyshohet se kanë pasur rol kyç në organizimin dhe drejtimin e këtij trafiku.
Të arrestuarit janë:
- Dorjan Luzaj
- Geraldo Seferaj
- Elton Myftari
- Elton Tavani
- Erind Teneqexhiu (alias Agalliu)
- Kela Qevani
- Ledion Hoxha
- Besnik Sparta
- Altin Musta
Grupi kriminal dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e amfetaminës, kanabisit dhe kokainës, me destinacion final Helsinkin. Hetimet kanë zbuluar se rrjeti kriminal kishte shtrirje ndërkombëtare, me sasi të konsiderueshme droge që dërgoheshin në Finlandë nga Spanja dhe Holanda, ndërsa drejtimi i operacioneve bëhej nga qytete si Tirana, Vlora, Berati dhe Kuçova.
Sipas SPAK, pjesëtarët e këtij grupi komunikonin përmes aplikacioneve të koduara si Signal dhe Telegram, për të shmangur zbulimin nga autoritetet ligjzbatuese.
Operacioni është vlerësuar si një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës, duke ndërprerë aktivitetin e një grupi të strukturuar dhe të organizuar kriminal.