
Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e sotme në Durrës, ku një vajzë u plagos me mjet prerës nga babai i saj, pas një konflikti familjar.
Sipas informacioneve paraprake, Mikel Ndoj, 56 vjeç, dyshohet se pas mosmarrëveshjeve familjare ka plagosur me thikë vajzën e tij, Xhensila Ndoj, 24 vjeçe, si dhe një qytetar tjetër, i cili po kalonte rastësisht në zonën ku ndodhi konflikti.
Burime bëjnë me dije se prindërit e vajzës ishin të divorcuar, ndërsa babai jetonte prej vitesh në Itali. Ai kishte tentuar të ribashkohej me familjen, por dyshohet se vajza nuk ka pranuar këtë kërkesë.
Sipas të njëjtave burime, vajza nuk e lejonte babain të hynte në banesë, ndërsa konflikti mes babë e bijë ka ndodhur fillimisht në rrugë, ku situata është përshkallëzuar nga debat verbal në konflikt fizik, duke përfunduar me përdorimin e mjetit prerës.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij. Dy të plagosurit janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin e ngjarjes dhe kapjen e autorit, ndërsa materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.



