Autoritetet australiane kanë zbardhur detaje të reja mbi autorët e sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach, ku humbën jetën 15 persona gjatë festimeve të Hanukkah të komunitetit hebre.

Sipas hetimeve, dy autorët – Sajid Akram, 50 vjeç, dhe djali i tij Naveed Akram, 24 vjeç – jetonin prej vitesh në Bonnyrigg, një periferi e Sidneit rreth një orë larg me makinë nga Bondi Beach. Vetëm disa javë para sulmit, ata ishin zhvendosur në një banesë të marrë me qira afatshkurtër (Airbnb) në Campsie, rreth 30 minuta larg vendit ku ndodhi masakra.

Korrespondentja e BBC, Katy Watson, raportoi nga Bonnyrigg se policia bastisi banesën e familjes gjatë natës. Tre persona që ndodheshin aty u shoqëruan nga autoritetet, por më pas u liruan pa akuza dhe u lejuan të kthehen në banesë.

Lidhje me ideologjinë ekstremiste

Mediat lokale australiane dhe transmetuesi publik ABC raportojnë se autorët kishin lidhje me ideologjinë e Shtetit Islamik (IS). Sipas burimeve të antiterrorizmit, besohet se babë e bir kishin shprehur besnikëri ndaj grupit terrorist IS, ndërsa policia ka gjetur edhe mjete shpërthyese artizanale (IED) në automjetin e tyre.

Sajid Akram kishte ardhur në Australi në vitin 1998 me vizë studenti, e cila më pas u shndërrua në vizë partneri dhe më vonë në leje qëndrimi. Ai posedonte leje armësh për gjueti rekreative dhe ishte anëtar i një klubi armësh.

Ndërkohë, Naveed Akram, shtetas australian i lindur në vend, kishte rënë në vëmendjen e autoriteteve që në vitin 2019 për lidhje me persona të dënuar më vonë për terrorizëm. Megjithatë, sipas Kryeministrit australian Anthony Albanese, një hetim gjashtëmujor në atë kohë kishte përfunduar se nuk kishte indikacione për kërcënim të drejtpërdrejtë apo planifikim dhune.

Përgatitjet për sulmin

Policia beson se autorët e kanë përgatitur sulmin në banesën e marrë me qira në Campsie, e cila tashmë është një nga pikat kryesore të hetimit. Një ndërtesë njëkatëshe gri në rrugën Brighton është rrethuar nga forcat e rendit, ndërsa dhjetëra efektivë të Policisë së Uellsit të Ri Jugor dhe Policisë Federale Australiane janë parë duke hyrë e dalë nga objekti.

Sipas raportimeve nga terreni, nga banesa janë nxjerrë valixhe të zeza, objekte të mbështjella me ambalazh kafe dhe thasë plastikë, të cilat janë ngarkuar në automjete pa shenja dalluese.

Albanese: Vepruan vetëm, por të motivuar nga ekstremizmi

Kryeministri Anthony Albanese deklaroi se nuk ka prova që autorët të kenë qenë pjesë e një qelize terroriste më të gjerë.

“Nuk ka asnjë provë për bashkëpunim apo përfshirje në një qelizë. Por është e qartë se ata ishin të motivuar nga ideologji ekstremiste,” u shpreh Albanese.

Ai konfirmoi gjithashtu se autoritetet nuk po hetojnë një person të tretë, ndërsa theksoi se rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi radikalizimin individual dhe sigurinë publike.

Hetimet vijojnë, ndërsa Australia mbetet në zi për një nga sulmet më të rënda terroriste të dekadave të fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu