Dëshmi rrëqethëse nga “Plumbi i Artë”: “Çapjat kishin vënë 200 mijë euro për kokën e dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit”

Skerdi Tasi, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka dhënë sot një dëshmi tronditëse para Gjykatës së Posaçme. Ai ka hedhur dritë mbi disa nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Elbasan, ku përfshihen porosi për atentate, pagesa marramendëse dhe emra të njohur të botës së krimit.

Sipas Tasisë, në vitin 2020, ishte përhapur në rrethet kriminale se familja Çapja kishte ofruar 200 mijë euro për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit. Ai pretendon se Nuredini, një tjetër personazh i përfshirë në dosje, i kishte kërkuar pjesëmarrje në atentatin e planifikuar.

“Nuk ka qenë thjesht bisedë, por ishte marrë përsipër si punë konkrete”, deklaroi Tasi para gjykatës.

Ai rrëfeu gjithashtu për ndjekje ndaj disa personave për t’i vrarë, ndër ta Dine Çanin, Oti Hilën, Lulzim Mashën e të tjerë. Në atentate të ndryshme, përfshirë një rast ku përdori armën tip Scorpions, ai tha se kishte përfituar edhe 25 mijë euro.

Në dëshminë e tij, përmenden edhe tentativa për atentate me snajper dhe përfshirja e makinave të vjedhura për aksione kriminale. Avokatët e palëve kërkuan procesverbalin e plotë të dëshmisë për të përgatitur pyetje për seancat e ardhshme.

Dosja “Plumbi i Artë” vazhdon të zbulojë përmasat e rrjetit të dhunës dhe porosive për vrasje që kanë tronditur Elbasanin në vitet e fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu