
Saga e Game of Thrones po pushton edhe skenën teatrore. Autori George R.R. Martin ka konfirmuar listën e personazheve që do të shfaqen në dramën e re “Game of Thrones: The Mad King”, e cila do të prodhohet nga Royal Shakespeare Company, me adaptim nga Duncan Macmillan dhe regji nga Dominic Cooke.
Shfaqja do të trajtojë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Westeros: Turneun e Madh në Harrenhal, momenti që ndezi zinxhirin e ngjarjeve që çuan në Rebelimin e Robertit dhe rrëzimin e dinastisë Targaryen.
Ngjarjet do të vendosen 10 vite përpara historisë së serialit televiziv dhe bazohen në material të ri nga autori George R. R. Martin. Sipas bashkëdrejtores artistike të RSC, Tamara Harvey, projekti përbën një ndërthurje të natyrshme mes botës së Westeros dhe dramave historike të Shakespeare-it, me intriga familjare, beteja për pushtet dhe histori dashurie.

Sipas Martin, në skenë do të shohim emra të njohur si:
- Rhaegar Targaryen, Princi i Dragonstone dhe trashëgimtari i Fronit të Hekurt
- Lyanna Stark dhe vëllezërit e saj Eddard, Brandon dhe Benjen Stark
- Robert Baratheon, i fejuari i Lyannës dhe udhëheqësi i rebelimit
- Jon Arryn
- Barristan Selmy dhe Arthur Dayne nga Garda Mbretërore
- Elia Martell, bashkëshortja e Rhaegarit
- Ashara Dayne
Në qendër të dramës do të jetë edhe Aerys II Targaryen, i njohur si “Mbreti i Çmendur”, figura që i dha titullin shfaqjes.
Produksioni pritet të sjellë në skenë versione shumë më të reja të këtyre personazheve, duke eksploruar motivet, ambiciet dhe konfliktet që çuan në një nga rebelimet më të mëdha në historinë e Shtatë Mbretërive.
Vetë Martin ka shprehur entuziazmin për projektin, duke theksuar lidhjen mes botës së tij dhe dramave historike të Shakespeare-it, sidomos ato të frymëzuara nga Luftërat e Trëndafilave.
Biletat do të dalin fillimisht në shitje për anëtarët e RSC në prill, ndërsa shfaqja pritet të nisë gjatë verës në Stratford-upon-Avon.












