Mbi 2,000 vullnetarë në Dubai janë angazhuar në një aksion të madh humanitar për të përgatitur 10 milionë vakte ushqimore për palestinezët në Rripin e Gazës. Aktiviteti u zhvillua në Expo City Dubai, në kuadër të nismës “Mohammed bin Rashid Humanitarian Ship Initiative”.

Nisma është lançuar nga Fondacioni Mohammed bin Rashid Al Maktoum Global Initiatives, me synimin për të lehtësuar vuajtjet humanitare të popullsisë së Gazës, përballë krizës së thellë të shkaktuar nga konflikti.

“Fondacioni Mohammed bin Rashid Global Initiatives ka nisur këtë nismë humanitare, e cila synon të përgatisë dhe të sigurojë dhjetë milionë vakte ushqimore për njerëzit tanë në Gaza, për të ndihmuar në lehtësimin e vuajtjeve të tyre,” deklaroi Fawzan Al-Khaldi, drejtor i programeve dhe iniciativave në fondacion.

Sipas tij, përgatitja e vakteve do të përfundojë brenda ditës, ndërsa ndihmat humanitare do të transportohen fillimisht në portin Khalifa në Abu Dhabi, për t’u ngarkuar më pas në Anijen Humanitare Mohammed bin Rashid, e cila do të niset drejt Al-Arish dhe më pas drejt Rripit të Gazës.

Një nga vullnetaret, Widad Abdulrahman, shpjegoi se çdo kuti përmban rreth 20 produkte ushqimore bazë, mes tyre oriz, makarona, salcë domatesh, reçel, biskota, mish, kripë dhe thjerrëza, të mjaftueshme për të siguruar ushqim për një familje të tërë për dy ditë.

Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe theksuan se kjo nismë përfaqëson një nga operacionet më të mëdha humanitare të organizuara nga vendi për Gazën, duke reflektuar angazhimin për ndihmë humanitare në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu