Ish-drejtori i shërbimit sekret serb BIA, Aleksandar Vulin, ka bërë deklarata të forta ndaj Kosovës, duke thënë se Serbia duhet të veprojë në mënyrë të ngjashme me Izraelin dhe shërbimin e tij inteligjent Mossad kundër atyre që i konsideron armiq të shtetit.

Gjatë një emisioni në mediat serbe, Vulin deklaroi se shteti serb duhet të hartojë një plan konkret për të vepruar ndaj individëve që, sipas tij, ndjekin politika antiserbe, duke përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shteti serb duhet të veprojë. Do të kërkoja nga shërbimet tona të përgatisin një plan të qartë se si do të merremi me individë me emër e mbiemër që janë bartës të politikave antiserbe. Nëse mundet Izraeli dhe Mossadi, pse të mos mundet edhe shërbimi serb?”, është shprehur ai.

Vulin shtoi gjithashtu se Serbia ka kryer më parë operacione të tilla dhe se, sipas tij, vendi di si të veprojë në situata të ngjashme. Ai pretendoi se udhëheqësit në Kosovë nuk kanë frikë nga pasojat dhe për këtë arsye Serbia duhet të ndërhyjë në mënyrë që Kosova “të ketë frikë nga Serbia”.

Aleksandar Vulin aktualisht është kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi. Ai ka mbajtur më parë disa poste të rëndësishme shtetërore, përfshirë drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, ministër pa portofol për Kosovën, shef i shërbimit sekret BIA dhe zëvendëskryeministër i Serbisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu