
Kroacia ka refuzuar në kufi një ngarkesë me pjeshkë të nisura nga Shqipëria. Raportohet se frutat kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të nikelit.
Lajmi është konfirmuar në faqen online të Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) të Komisionit Europian. Zbulimi i këtij rasti nga autoritetet europiane është bërë në datë 21 gusht 2025.
Kroacia gropos 4 ton domate shqiptare me pesticide
Po dje, autoritetet kroate lajmëruan dhe groposjen e 4 ton domateve shqiptare, për të njëjtat arsye.
Për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh me prodhimet bujqësore shqiptare e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ishte pedagogia dhe ekspertja e ushqimit, Ana Vuksani.
“Në momentin që një ngarkesë ushqimesh në një vend që ka problem pesticidesh apo që shkakton probleme për konsumatorin ti shpallesh një vend me risk të lartë dhe i nënshtrohesh një kontrolli rigoroz dhe në masa të forta.
Prandaj, nga Kroacia ne kemi një numër kaq të shtuar të rasteve pasi jemi shpallur një vend me risk të lartë.
Kemi edhe vende të tjera që bëjnë të njëjtën gjë. E kemi thënë gjithmonë se do komprometohen të gjitha produktet e fermerëve shqiptarë si pasojë e këtij statusi.
Shpresoj shumë që ristrukturimi i autoritetit përgjegjës të bëjë të mundur kontrollin e prodhimit që këtu.
Ajo që mua më shqetëson mua si nënë dhe qytetare e këtij vendi, po pjeshkat që kam konsumuar unë këtu gjatë kësaj kohe, e ndërsa konsumatori kroat ka një autoritet që interesohet për shëndetin e tij, unë kuptoj që jam totalisht në mëshirë të fatit, sepse nuk e di se çfarë është bërë pjeshkat që unë kam ngrënë”, u shpreh ekspertja Ana Vuksani./Oranewes