
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Rusia mban një qëndrim të palëkundur për integritetin territorial të Serbisë dhe mbështet Beogradin në çështjen e Kosovës. Këto komente ai i bëri pas takimit me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, të zhvilluar të martën, më 2 shtator, në Pekin.
Vuçiç tha për mediat se bisedimet me Putinin ishin “shumë të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme”, duke theksuar se u trajtuan të gjitha temat me interes të ndërsjellë.
Një nga çështjet kryesore ishte energjia. Presidenti serb theksoi se Serbia ka nevojë gjithnjë e më të madhe për furnizime me gaz, ku pjesa më e madhe vjen nga Rusia dhe sasi më të vogla nga Azerbajxhani. Ai kujtoi se Serbia dhe Rusia po punojnë për zgjerimin e kapaciteteve të ruajtjes në Banatski Dvor dhe se një pjesë e gazit do të ruhet në Hungari për këtë dimër, për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike në ditët më të ftohta.
Lidhur me sanksionet ndaj kompanisë NIS, Vuçiç tha se ekziston marrëveshje për të punuar së bashku me Rusinë për të mbrojtur këtë kompani strategjike. Ai shtoi se u diskutua edhe për energjinë bërthamore, duke përmendur ofertën për partnerët hungarezë për pjesëmarrje në projektin Pakshi 2.
Në planin ekonomik, Vuçiç theksoi se shkëmbimet tregtare me Rusinë janë rritur me 4% këtë vit dhe se synohet ruajtja e këtij ritmi deri në fund të vitit. U fol gjithashtu për bashkëpunimin në kulturë, sport dhe projekte ushtarako-teknike.
Një tjetër temë e diskutimit ishte situata në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht në Republikën Srpska. Vuçiç tha se presidenti Milorad Dodik pritet të takohet me ministra të qeverisë ruse brenda 7-10 ditësh.
Presidenti serb bëri të ditur se Putin i kishte shprehur respekt për pavarësinë e politikës së jashtme të Serbisë dhe kishte theksuar se disa do të dëshironin të mos e shihnin më në krye të shtetit.
Vuçiç njoftoi gjithashtu se nesër do të zhvillojë takime me udhëheqjen më të lartë të Kinës. Ai reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç, duke i cilësuar ato si dashakeqe, dhe mohoi mundësinë e një lufte civile në Serbi.
Sa i përket protestave dhe tubimeve, Vuçiç tha se 16-17 mijë persona u mblodhën dje në të gjithë Serbinë, një numër që e konsideroi të respektueshëm dhe i ftoi protestuesit në dialog.
/tvklan.al