
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë, se kanë mbështetur dhe nxitur protestat antiqeveritare të zhvilluara në Serbi gjatë dy viteve të fundit.
Sipas tij, demonstratat janë ndihmuar nga shërbime sekrete rajonale, duke e cilësuar këtë si një fakt “që nuk është sekret për askënd”.
Vuçiç theksoi se Kroacia ka qenë “thellësisht e përfshirë” në trazirat në Serbi dhe e akuzoi se po strehon persona të kërkuar për vepra të rënda penale. Ai shtoi se, sipas pretendimeve të tij, një rol edhe më aktiv kanë pasur Shqipëria dhe Kosova, duke përmendur aktivitetet në Prishtinë, Tiranë dhe qendra të tjera rajonale.
Presidenti serb pretendoi gjithashtu se disa organizata amerikane, përfshirë USAID dhe Fondin Kombëtar për Demokraci, po trajnonin individë për të vepruar kundër qeverisë së tij. I pyetur për prova, Vuçiç tha se disponon mjaftueshëm, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Serbia është përballur me protesta të mëdha që prej aksidentit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Tubimet, të udhëhequra kryesisht nga studentët dhe të mbështetura nga qytetarët, kanë kërkuar hetim të plotë për ngjarjen, reforma dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Deri më tani nuk ka reagime zyrtare nga Shqipëria, Kosova apo Kroacia lidhur me akuzat e presidentit serb.



