
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shpërthyer sërish në stilin e tij teatral, këtë herë për një… fushë futbolli! Pasi Federata Serbe vendosi që ndeshjet ndaj Anglisë më 9 shtator dhe Shqipërisë më 11 tetor të zhvillohen në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd, Vuçiç u skandalizua si të kishin vendosur të luanin në hënë.
“E hëngrët presionin!” – tha ai duke bërë të ditur se ndryshimi i stadiumit nga Leskovaci i dashur për të, në Beogradin “snob”, ishte rezultat i një komploti ambasadash, ku britanikët qenka se s’u pëlqente të udhëtonin shumë. Si gjithmonë, Vuçiç, herë viktimë, herë hero i paqes, herë menaxher stadiumesh, u vetëshpall mbrojtës i Leskovcit të vogël por krenar, që sipas tij dha më shumë zjarr se gjithë Beogradi me tifozët kundër Andorrës.
“Në Marakanë s’do jenë as 300 veta!” – parashikoi Vuçiç me zellin e një fallxhoreje sporti. Dhe për t’i dhënë më shumë dramatikë skenës, shtoi se “ka marrë dhjetë letra nga ambasada, por s’u është përgjigjur”, sikur të ishte në një telenovelë diplomatike ku ai është protagonisti i guximshëm që s’u përkul.
Në thelb, faji është i të gjithëve, përveç Vuçiçit. Ai do ndeshje në Leskovac, tifozë të zjarrtë, dhe një kombëtare që fiton. Por në fund, Federata zgjodhi Beogradin – ndoshta sepse aty është më afër zyrave, më larg Vuçiçit, dhe më pranë… sinjalit të UEFA-s.
Ndërkohë, ndeshja ndaj Shqipërisë, që zakonisht mban tension më shumë se vetë tabela e rezultateve, do luhet po në “Rajko Mitić”, me shumë mundësi me 300 veta sipas profecisë vuçiqiane, ku gjysma do jenë sigurimi.
Nëse skuadra e Serbisë humbet, Vuçiç tashmë e ka gati fajtorin: stadiumi i gabuar, njerëzit e gabuar, dhe – si gjithmonë – presioni i jashtëm.
Nëse fiton? Atëherë, me siguri do thotë që ideja për Beogradin ishte e tij!