40-vjeçari Pandeli Nakoleci, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 36-vjeçare dhe nënës së katër fëmijëve, është dërguar në burg, pasi kërkoi falje në sallën e gjyqit duke u shprehur i penduar për krimin.

Në seancë, Nakoleci mohoi se kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme në familje, por pranoi se e kishte goditur gruan me një objekt të mprehtë, të përdorur gjatë gatimit në skarë. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se dy goditjet fatale në qafë dhe gjoks i morën jetën viktimës, duke rrëzuar pretendimet e tij se sulmi kishte pasur vetëm qëllim frikësimi.

Në deklarimet e tij, 40-vjeçari përshkroi jetën martesore si të qetë dhe të lumtur për më shumë se 20 vite, duke theksuar se kishte punuar vazhdimisht për të mbajtur familjen. Por, sipas tij, gjithçka ndryshoi pas Pashkëve 2025, kur zbuloi se gruaja kishte një lidhje jashtëmartesore dhe se fëmija që priste nuk ishte i tij. Ai e përshkroi këtë moment si “shkatërrues emocional” dhe tha se i kishte shkaktuar “çrregullim mendor”.

“Jam penduar sinqerisht për aktin tim të shëmtuar. Dua t’u kërkoj falje në radhë të parë katër fëmijëve të mi, të afërmve të saj dhe shoqërisë për tragjedinë që shkaktova. Do të doja ta ktheja kohën pas, nëse gruaja ime do të ishte gjallë”, – tha ai para gjykatës.

Nakoleci kërkoi gjithashtu një vlerësim psikiatrik, duke përmendur diagnoza të mëparshme të çrregullimit të ankthit dhe një tentativë vetëvrasjeje.

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës në familje dhe nevojën për monitorimin e shëndetit mendor tek individët e dhunshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu