Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë së hënës në fshatin Stanoc të Vushtrrisë, ku një grua është vrarë dhe autori i dyshuar ka kryer vetëvrasje.

Nga vendi i ngjarjes, familjari i viktimës, Rrahim Ajeti, ka dhënë detaje mbi rastin.

Sipas tij, dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak se viktima kishte ndërruar vendin e punës dhe nuk punonte më te dorasi.

“Nuk ka pasur ndonjë lidhje familjare. Ka qenë grua shembullore. Viktima dhe bashkëshorti i saj kanë punuar vite më parë te biznesi i të dyshuarit. Nuk janë burrë e grua”.

“Rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja nuk i dimë akoma. Por dyshohet se shkaku kryesor të jetë xhelozia se pse ka shkuar në një vend tjetër pune dhe e ka lënë tek unë”, deklaroi Ajeti para gazetarëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, për Telegrafin ka dhënë detajet e rastit.

“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten”.

“Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje”, u shpreh Zahiti.

Telegrafi ka parë foto të vrasjes, në të cilën shihet se akti ka ndodhur brenda nënkalimit.

Ky është rasti i dytë që trondit Vushtrrinë brenda 24 orëve, pasi vetëm një ditë më parë një 19-vjeçar u vra në rrethana të tjera./Telegrafi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu