
Detaje të reja kanë dalë pas vrasjes së mbrëmshme në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ku 65-vjeçari Frrok Lleshaj u gjet i vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet.
Sipas informacioneve të publikuara nga JOQ Albania, viktima rezulton të ketë pasur një të shkuar të errët me drejtësinë. Në vitet ’90, Frrok Lleshaj ka shërbyer si efektiv policie, por në vitin 1995 u arrestua si i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, Dodë Lleshaj. Gjatë trazirave të vitit 1997, ai arriti të arratisej nga burgu, por u kap sërish në vitin 2006 dhe u dënua me 25 vite heqje lirie.
Pasi kreu dënimin, ai fitoi lirinë më 16 mars 2023 dhe ishte kthyer të jetonte në zonën ku u ekzekutua mbrëmjen e djeshme. Sipas burimeve, ai është qëlluar për vdekje me armë zjarri të tipit pistoletë.
Pista kryesore që po hetohet nga Policia është ajo e gjakmarrjes, por nuk përjashtohen edhe motive të tjera që mund të lidhen me të shkuarën e tij.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e autorëve të dyshuar.