
Një vrasje me thikë ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Kryekuq të Divjakës, ku një 32-vjeçar humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm.
Ngjarja ndodhi në një lokal, ku viktima, B. K., ndodhej në shoqërinë e miqve të tij. Autori i dyshuar, pas një debati, e goditi atë me mjet prerës dhe u largua menjëherë nga vendngjarja.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Divjakës dhe ndjekjes intensive të forcave operacionale të DVP Fier, pas disa orësh u bë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të vazhdueshëm mes familjeve të viktimës dhe autorit, lidhur me një kanal vaditës në fshat.
Policia dhe Prokuroria kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë.